Të presësh një qeverisje të mirë dhe prosporitet për komunën e Skënderajt me Fadil Nurën kryetar e Sami Lushtakun kinse “zëvendësi” i tij (edhe pse të gjithë e dinë që s’është ashtu), duhet të jesh naiv ose të mos jesh fare i njohur me rrjedhat politike e qeverisëse në komunën e Skënderajt.
Shumë kësi që votën i kanë dhënë këtij pushteti janë ndjerë të turpëruar me atë se çka ka ndodhur në ditën e fitores, kur fitorja u festua me armë, karshi Jasharajve, shkruan portali Rajoni.org.
Tash po ndihen edhe të mashtruar sepse ato fjalë që janë dhënë gjatë fushatës nuk janë askund.
Në përgjithësi me këtë pushtet kemi tentimin e rikthimit të njëmendësisë partiake në këtë komunë, pasi ky pushtet me militantët e vet po tenton ta gllabërojë çdo pore të jetës.
Për dallim nga ish-pushteti i Bekim Jasharit kur klima politike sadopak ishte më e relaksuar, ndërsa tani Nura e Lushtaku këtë klimë e kanë ashpërsuar tej mase si me retorikën nënçmuese ndaj kundërshtarëve politikë ashtu edhe me spastrimin e tyre nga vendet udhëheqese, siç ishte rasti në QKMF, drejtorë të shkollave, ndërmarrje publike etj.
Edhe në nivelin e transparencës ky pushtet është në pikën më të ulët të shënuar ndonjëherë në historinë e të bashkëpunuarit pushtet-medie.
Për dallim nga kohët kur mediet kërcënoheshin me bunar të Likovcit ato sot kërcënohen me gjykatë dhe janë të përjashtuara nga të gjitha aktivitetet e komunës. Nuk përfaqësohen askund, siç është rasti me Komitetin për Siguri në bashkësi, ku për 22 vite gjithmonë anëtar i këtij komiteti ka qenë një gazetar.
Për një vit sa është duke qeverisur ky pushtet është ndalur hovi i zhvillimit ekonomik i kësaj komune pasi që po zhvillohen vetëm projektet e trashëguara të Bekim Jasharit, projekte të cilat ky pushtet po i paraqet si të vetat. Pra kjo komunë ka hequr nga rendi i ditës projektet kapitale si Parkun e Biznesit në Marinë, stadiumin e qytetit në Prekaz e besa më nuk po e përmend as Pendën e Kuçicës.
Me shërbime publike ia ka huqur krejt! Gjithë verën Drenica nuk po ka ujë, e për grumbullimin e mbeturinave mos të flasim hiç pasi si pasojë e mosgrumbullimit të mbeturinave po lulëzojnë deponitë e egra të mbeturinave. Pra, thënë shkurt me ardhjen e Nurës e të Samiut në pushtet Drenica siç thotë populli e ka thyer këmbën.
Këtë e themi për faktin që në shumicën e fotove, që i postojnë kjo udhëheqësi e komunës shihen duke u gostitur nëpër dreka të ndryshme zyrtare dhe për këtë kemi edhe ngritje të shpenzimeve në këtë kategori./Rajoni.org/