Përse po zvarritet kaq vite asfaltimi i rrugës në fshatin Kozhicë, lexoni rrugëtimin e kësaj çudie, shkruan portali rajoni.net.
Në vitin e kaluar banorët e fshatit Kozhicë ishin ankuar për gjendjen e mjerueshme të rrugës në lagjen Jashari, që e vështirësonte në masë të madhe qarkullimin (lajmi i publikuar në portalin Rajoni).
Lajmi u bë viral, dhe shumë medie e vizituan këtë rrugë dhe i intervistuan banorët.
Pasi televizioni ATV kishte kontaktuar Komunën, nga Zyra e Informimit ishte përgjigjur z. Amir Lushtaku, i cili kishte deklaruar se buxheti për asfaltimin e kësaj rruge tashmë ishte përcaktuar dhe ishte ndarë nga qeverisja e kaluar e Bekim Jasharit, dhe se asfaltimi veçse do të përfundojë në pranverën e këtij viti.
Më pas, më 20 maj faqja zyrtare e Komunës së Skënderajt e bën publike se po fillon asfaltimi i kësaj rruge. Gjjthashtu u shoqërua edhe me vizitë nga vetë kryetari Fadil Nura “për ta uruar”.
Por, sipas banorëve të fshatit Kozhicë punimet kishin zgjatur vetëm për 2 ditë derisa Fadil Nura bëri foto, 2 kamionë me rërë kishin zbarkuar në rrugë, dhe pasi banorët menduan që asfaltimi më në fund po përfundon, punimet ndërprehen.
Rrugëtimi i kësaj çudie nuk përfundon me kaq… Më tutje, banorët deklarojnë se tani është fillimi i vjeshtës dhe ende nuk ka asnjë lëvizje për të kaluar në faza të tjera të mëtutjeshme të asfaltimit. Sipas tyre kjo është hera e 4 që vijnë kamionë kinse për ta asfaltuar dhe punimet ndërprehen. Edhe Bekim Jashari kishte luajtur me këtë rrugë duke sjellë 2 herë kamionët me rërë, njëherë në fillim të mandatit dhe njëherë në fund (për vota).
Përse duhej të ndërprehej procesi i asfaltimit të rrugës, nëse sipas z. Amir Lushtakut buxheti ishte i planifikuar që nga qeverisja e kaluar për këtë rrugë, dhe përfundimi ishte menduar në pranverë?
Siç duket prurja e kamionëve me rërë dhe vizita e realizuar nga ai në fshat ishte vetëm për ta shuar presionin e medieve dhe ankesat e banorëve. /Rajoni.net/