Partia në pushtet në Skënderaj, PDK-ja në krye me kryetarin Fadil Nura dhe “zëvendësin” e tij Sami Lushtakun, sot ka votuar një pikë të rendit të ditës, e cila sipas opozitës është kundër interesit publik, shkruan portali Rajoni.org.
Votimi i kësaj pike do të thoshte zgjatje e koncesionit për kompaninë “Rukolli” të objektit të ish-stacionit policor nga 40 në 99 vite.
Gjatë debatit, ky veprim i pushtetit, nga asamblistët, pasi është cilësuar se është kundër interesit publik i njëjti është edhe i kundërligjshëm.
Për kompaninë “Rukolli” përndryshe që njihet si përkrahëse e PDK-së, në fushatën e fundit zgjedhore thuhet se i ka tërhequr 800 mijë euro një javë ditë para zgjedhjeve, dhe për kë e për çka mund ta hamendësojmë të gjithë.
“Tash kjo po i përkthehet kësaj kompanie me zgjatje të kontratës.”, – ka thënë asamblisti i VV-së Hysni Mehani deri sa në rend dite diskutohej pika në fjalë.
“Që kujt i shërben kjo kompani e kush qëndron pas saj krejt e dimë, mirëpo kryetari Nura nuk ishte dashur të bie në ndikim personal, familjar, politik e në ndikimin e grupeve të interesit, e që fatkeqësisht ka rënë në të gjitha, sepse në të kundërtën ishte dashur t’i thuhej atij zotërisë “Rukolli”, që kohë fushate del bën presion e jep para për blerje votash: ‘të kemi dost po ligjin s’e shkelim ‘ ”, -tha ndër të tjerash Mehani.
Kjo kontratë në fjalë e lidhur në 2010-n, që ka përfunduar në prokurori sot ka qenë shkas që opozita ta lëshoj takimin e asamblesë duke lënë për të parën herë PDK-në pa kuorum pasi që fillimisht as asamblisti i AAK-së nuk ishte në sallë dhe si pasojë e kësaj kishte ardhur deri te ndërprerja e takimit.
Mirëpo, ishin telefonatat e shumta, që kishin thyer mendjen e asamblistit dhe i njëjti me prezencën në kuvend kishte mundësuar që Rukollit t’i shtyhet kontrata për 99 vite nga 40 që ishte, pra PDK-ja ta arrinë qëllimin.
Abdullah Gashi nga Ideali, parti kjo, e cila u bë “sebep” që opozita ta lëshojë takimin ka theksuar se pika për zgjatjen e afatit të Rukollit nuk është në interes të qytetarëve dhe ne si asamblistë jemi votuar që ta mbrojmë interesin e tyre pa marrë parasysh përcaktimin politik.
“Ne si Ideal apelojmë nga pozita dhe opozita që të dalin në mbrojtje të interesit publik dhe jo të grupeve të caktuara të interesit duke hequr këtë pikë nga rendi i ditës dhe nëse kjo pikë nuk hiqet ne do ta bojkotojmë seancën duke mos qenë pjesë e atyre që shkelin interesin publik.”,- ka thënë Gashi, thirrjes së cilës, Ideali, VV-ja dhe Nisma iu kanë bashkëngjitur duke lëshuar takimin./Rajoni.org/