Edhe të marten, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kryetar i degës së PDK në Skenderaj, Sami Lushtaku, ka konfirmuar se është kandidat për kryetar të komunës së Skenderajt, ndërsa nuk ka pretendime për ta marrë timonin e Partisë Demokratike, në zgjedhjet e brendshme që do të mbahen para zgjedhjeve lokale.
“Nuk do të kandidojë për kryetar të partisë, sepse unë e kam mendjen m’u kthy në Skenderaj me punu në Skenderaj dhe në Drenicë. Falë Zotit kam shumë miq e shokë dhe PDK-në do ta ndihmoj vazhdimisht. Nuk kam ambicje për kryetar të PDK-së. Është momenti që na ta ndihmojmë Partinë Demokratike, por mos të jemi dera e parë, na jemi prapavija e PDK-së, vota është e shenjtë dhe nuk mund të tregojë se kënd e preferoj për kryetar të PDK-së, unë ja jepi votën atij që ma mbushë mendjen sa do ta ndihmon PDK-në, besimin e PDK-së do ta merr ai që anëtarët e shohin që është i përgjegjshëm”, ka thenë Lushtaku.
Në anën tjetër, ata që nuk e dëshirojnë Sami Lushtakun, shpresojnë se ai dhe Bekim Jashari do të bëjnë marrëveshje dhe se edhe kësaj radhe Sami Lushtaku do t’i lëshojë rrugë Bekim Jasharit. Ka shumë njerëz që kanë dërguar te Sami Lushtaku për ta lutur që të mos kandidojë, por siç kanë thenë në PDK, ata janë refuzuar kategorikisht.
“Jo, jo, këto janë shpresa të kota të atyre që tani po përpiqen ta ‘ndihmojnë’ Bekim Jasharin, duke ia larguar kundërkandidatët dhe për t’ia lënë terrenin e pastër. Kjo më nuk do të ndodhë. PDK-ja tashmë ka vendosur për Sami Lushtakun, ai është kandidat i PDK-së për kryetar të Skenderajt. Vetëm Sami Lushtaku mund të kryej punë në Drenicë, vetëm ai e ka autoritetin dhe fuqinë për ta vazhduar zhvillimin e Skenderajt. Shumë projekte, me qindra janë realizuar sa ka qeverisur Sami Lushtaku, ndërsa tani nuk ka asgjë. Nuk bëhet asnjë punë dhe për këtë arsye, punët nuk kryhen me fjalë. Skenderajt i nevojitet Sami Lushtaku”, kanë thenë në degën e PDK në Skenderaj, të marten.
Në PDK thonë se askush nuk duhet t’i frikohet kthimit të Sami Lushtakut, sepse të gjithë e dinë se sa e duan qytetarët e Skenderajt.
“Ju e keni parë, kur del ai në rrugë, ta zëm në sheshin ‘Adem Jashari’ me dhjetëra njerëz e përshendesin dhe i shkojnë pas, shumë njerëz e ndalojnë, nuk mund as të kalojë. Kërkesë e tyre është që Sami Lushtaku të kthehet. Kthimit të Sami Lushtakut i frikohen vetëm ata që janë punësuar me nepotizëm, mbi baza klanore e grupore, ata që kanë arritur t’u sigurojnë të afërmëve të tyre edhe banesa, ata të cilët edhe pretendojnë të përfitojnë banesa në komplesin e banesave për kategoritë e luftës ‘UÇK’. Vetëm ata i frikohen kthimit të Sami Lushtakut”, kanë thenë në PDK./Vision Mega/