Gjithnjë e më shumë po vërehet prani më e madhe e qenve endacakë në rrugët e qytetit të Skenderajt, duke paraqitur rrezik për qytetarët, nga ndonjë sulm eventual i tyre, shkruan Rajoni.
Rrezik paraqesin sidomos në orët e hershme të mëngjesit, kur qentë janë në kërkim të vaktit të tyre ushqimor.
Një rast i tillë është paraqitur të hënën në mëngjes, në rrugën “28 Nëntori”, shumë afër stacionit të Policisë së Kosovës, kur disa qenë për pak nuk e kanë sulmuar një grua, teksa ishte duke ecur në trotuar, e që për fat të saj të mirë, e gjitha ka kaluar pa ndonjë pasojë.
Merret vesh se çështja e qenve endacakë është diskutuar edhe në takimin e fundit të Komitetit për Siguri në Bashkësi, por burimet e Rajonit nuk kanë mundur të japin më shumë informacion se cilat janë masat që ky komitet i ka ndërmarrë për të adresuar këtë çështje.