Ramiz Lladrovci mbase është penduar që ka shkuar në Spanjë për ta ‘ndihmuar’ kombëtaren e Kosovës, pasi që derisa ai ndodhej atje, dega e PDK-së është kompletuar dhe janë zgjedhur organet e ngushta të saj pa njerëzit e tij, të cilët në Drenas i quajnë ‘ardhacakë’. Për gati dy vjet, dega e PDK-së në Drenas nuk e kishte zgjedhur kryesinë e degës, pasi që këtë e kishte penguar Ramiz Lladrovci me ardhacakët e tij, siç thonë në Drenas, duke u përpjekur me mish e me shpirt që ta ‘sundojë’ edhe degën e PDK dhe ta degradojë atë, shkruan gazeta online vision-mega.
Në fakt, për më shumë se dy vjet ka qenë një luftë e brendshme në mes të Sejdi Hoxhës dhe Ramiz Lladrovcit që secili nga ata t’i kenë njerëzit e vet në kryesi. Dhe më në fund, Këshilli Drejtues i degës së PDK në Drenas ka vendosur, që nënkryetar i parë i degës së PDK në Drenas të jetë Muhamet Kiçina, një nga kritikuesit më të mëdhenjë të punës së Ramiz Lladrovcit, ndërkaq nënkryetar i dytë është zgjedhur Bekim Nika. Ndërkaq, Hyrie Xhemajlaj – Thaçi, është zgjedhur nënkryetare si përfaqësuese e Gruas Demokratike në Drenas, ndërsa Këshilli Drejtues i degës së PDK ka zgjedhur Adnan Thaçin, sekretar të degës.
Strukturat e degës së PDK në Drenas kanë qenë përherë për ndyshime, duke kërkuar inkuadrimn e të rinjëve gjë arritën ta bëjnë ditën e enjte, kur edhe u zgjodhën Kiçina, Nika, Hyrije Xhemajlaj – Thaçi dhe Adnan Thaçi. Vlerësohet në Drenas, se në këtë mënyrë është mposhtur grupi destruktiv, pengues dhe përçarës i Ramiz Lladrovcit, i cili shpalli veten kandidat për kryetar të komunës së Drenasit edhe për një mandate tjetër, pa u konsultuar me degën e as me qendren e PDK-së në Prishtinë.
Pjesa dërmuese e kryesisë së degës së PDK në Drenas janë kundër Ramiz Lladrovcit dhe nuk pranojnë që ai të kandidojë në emër të PDK-së edhe për një mandat, duke u arsyetuar me faktin se “prej ardhjes së Lladrovcit, PDK-ja në Drenas ka degraduar dhe e ka humbur besimin e qytetarëve të kësaj pjese të Drenicës”.
Në anën tjetër, në 30 nëndegët e PDK në Drenas është duke u nënshkruar një peticion, me anë të të cilit PDK-së i kërkohet që të mos e kandidojë Lladrovcin edhe për një mandat tjetër. Kryetarët e nëndegëve vlerësojnë se me Lladrovcin kandidat, PDK-ja rrezikon ta humbë Drenasin.