2 studentë nga Departamenti i Gjuhës dhe i Letërsisë Shqipe në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren kanë realizuar një punim shkencor krahasues mes gjuhës shqipe dhe gjuhës angleze.
Punimi është realizuar nga studentët Fatlum Jashari & Egzon Jashari dhe ka qenë nën monitorimin e prof.dr. Shkëlqim Millakut, ligjëruesit të lëndëve të gjuhësisë në këtë departament.
Ky punim qëndroi 1 muaj në verifikim nga revista me bazë në Rochester, New York, “Morphology e-journal”, përcjell Gazeta Rajoni. Revista përfshihet në kuadër të platformës elektronike SSRN, dhe është e indeksuar në Google Scholar, WOS etj.
Në këtë punim është trajtuar tematika morfologjike e fjalëformimit. Më konkretisht, autorët e këtij punimi kanë hulumtuar fjalë të reja (në këtë rast ndajfolje, që nuk janë në Fjalor) në revistën letrare “Jeta e Re” të vitit 1961. Strukturën e atyre ndajfoljeve të shqipes e kanë krahasuar me strukturën e ndajfoljeve të gjuhës angleze me skema të metodave gjenerativiste.
Prof.dr. Shkëlqim Millaku është profesor i rregullt në Universitetin “Ukshin Hoti” që prej themelimit. Ai ka përvojë të gjatë me ligjërimin e lëndëve bazë të gjuhësisë dhe numëron qindra punime shkencore në këtë drejtim.
Ndërsa, Fatlum Jashari dhe Egzon Jashari janë nga komuna e Skenderajt dhe aktualisht në vitin e tretë të studimeve në këtë universitet. Ata janë mjaft premtues në fushën e gjuhësisë.


