“Është koha për të qenë të guximshëm dhe për të mos patur më frikë”. Milani i Stefani Piolit po tregon rritje nga ndeshja në ndeshje dhe kjo u vu re dhe në fitoren e fundit të kuqezinjve përballë Romës në “Olimpico”.
Tekniku i kuqezinjve u shpreh për DAZN pas triumfit se momente të tilla duhen shijuar. “Ta shijojmë sa më shumë sepse asnjëherë nuk i dihet sa mund të zgjasin momente të tilla. Roma ka një skuadër cilësore, por kemi luajtur ndeshje të shkëlqyer 11 kundra 11”, tha fillimisht italiani.
“U përpoqëm të shënonim më shumë gola dhe ky është karakteri që na duhet në një ndeshje kaq të rëndësime. Po kalojmë një periudhë shumë të mirë edhe në aspektin e formës sportive, kështu që duhet të vazhdojmë me këtë valë, të jemi të guximshëm, të sigurt. Për këto arsye jam edhe i lumtur”, tha Pioli.
Si u gjykua ndeshja? “Ju duhet t’i vlerësoni vendimet e arbitrit, unë jam i fokusuar vetëm te skuadra ime, çfarë mund të përmirësojnë dhe të përgatitemi për Champions League. Duam të marrim një rezultat pozitiv edhe aty. Porto është një ekip shumë i mirë, por ne do të bëjmë më të mirën tonë”.
Dëmtimet? “Kam pesë mesfushorë të shkëlqyer, që më në fund po arrijnë formën fizike. Tani mund të bëj pak rotacion. Të luash në këtë ritëm dhe aq shpesh nuk është aq e lehtë. Ka momente që e kontrollon ndeshjen, ku vuan dhe ku duhet të rezistosh. Roma na befasoi në fillimin e pjesës së dytë, por kjo e bën fitoren edhe më të rëndësishme. Për më tepër që u arrit kundër një skuadre që ishte e pamposhtur në shtëpi”.
Rezultatet? “Merita i shkon klubit që i dha besim këtij projekti, duke kombinuar lojtarët me përvojë me lojtarë të rinj dhe premtues. Ne jemi njohur me njëri-tjetrin, por është ende herët. Gjithsesi skuadra është e fortë. Kemi luftuar kundër Bologna, Verona dhe Torino, ndaj duhet ta dini që ne japim vetëm më të mirën. Duhet të vazhdojmë me këtë sjellje dhe përqendrim.
Gjendja e Ibrahimovic? “Nëse trajnohet vazhdimisht, do ketë mundësinë të rritet. E pashë më të qetë sot në lëvizje, më aktiv dhe më të lidhur me ekipin. E njëjta vlen dhe për Giroud”.
Është Milani favorit për titullin? “Ka shumë skuadra që luftojnë për t’u kualifikuar në Champions League dhe për të fituar titullin. Interi është shumë i fortë dhe për mua janë ende favoritët, Napoli është i shkëlqyer dhe Juventusi nuk mendoj se është jashtë gare. Ajo që më bën krenar është se sezonin e kaluar duhet të mbështeteshim në një mrekulli për ta marrë rezultat, kurse tani kemi besim te vetja.
Ky është hapi përpara, që ne të shkojmë në ndeshje ndaj rivalëve më të fortë duke besuar se mund të fitojmë me intensitet, përqendrim dhe cilësitë që kemi. Fitoret si kjo na japin edhe më shumë besim, kështu që duhet të vazhdojmë kështu. Më pëlqen pozitiviteti i kësaj skuadre, si në fushë edhe jashtë saj”.