Chelsea pësoi dy humbje radhazi në shtëpi vetëm për herë të dytë me Thomas Tuchelin në stol (gjithashtu në prill të vitit të shkuar).
Por tre gola në “Stamford Bridge” nuk i pësonin në dy ndeshje radhazi prej tetorit 2012.
Por a shpreson tekniku gjerman në një përmbysje të martën në Madrid?
“Është një humbje e rëndë. Ishte një nga pjesët e para më të këqija që unë kam parë këtu në ‘Stamford Bridge’. Individualisht dhe si skuadër nuk ishte mjaftueshëm për standardet tona: pasimet, ku pasonim dhe se si pasonim apo sulmonim”, tha ai.
“Nuk mund të ankohemi për këtë humbje. Bëmë 16 goditje në pjesën e dytë. Kur e vret ndeshjen vetë pas 45 minutash, bëhet gjithnjë e më e vështirë. Tani duhet të shkojmë në Sauthempton e pastaj në Madrid. Dhe është shumë e rëndësishme që do të shkojmë atje fillimisht. Por nëse vazhdojmë të luajmë kështu, atëherë do të humbasim në Sauthempton dhe pastaj do të na dërrmojnë në ‘Bernabeu’”, tha trajneri i Chelseat.