Ura e fshatit Shtrubullovë të Drenasit, vazhdon të jetë në gjendje të mjerueshme dhe të rrezikshme për banorët që nga paslufta. Por dëmtimet e fundit dhe hapja e një vrime në urë tani po i frikëson edhe më shumë banorët se mund të pësojë ndokush, e sidomos fëmijët e fshatit.
Përveç gjendjes së keqe që ka ura për vite me radhë, banorët ankohen se në dy vitet e fundit mbi këtë urë është hapur edhe një vrimë që po sjell rrezik për ta, e në veçanti për fëmijët e fshatit, shkruan KosovaNews.

Sipas tyre, ndërtimi i një ure të re në fshat, ishte premtuar që nga fushatat e vitit 2017 nga kryetari aktual i Komunës, Ramiz Lladrovci, por edhe pse kanë kaluar më tepër se 5 vjet, nuk është ndërmarrë asgjë.
“Kjo urë ka 20 vjet që është në këtë gjendje të mjerueshme, përveç kësaj, në këto dy vitet e fundit mbi të është hapur një vrimë e cila po rrezikon të bien veturat dhe qytetarët, e në veçanti fëmijët”, thotë për KosovaNews, Dren Rexhepi, banor i fshatit.

Për këtë problem me urën ankohen thuajse të gjithë banorët.
Ata thonë se duke e parë rrezikun nga ura e dëmtuar, kanë bërë kërkesë në Komunën e Drenasit për rregullimin e saj, por që komunarët nuk kanë ndërmarrë asnjë hap.
E pasi kanë premtuar nëpër fushata qysh nga viti 2017 për rregullimin e urës, tani komunarët gjejnë arsye për mosmbajtjen e këtij premtimi.

Përmes një përgjigjeje me shkrim për KosovaNews, Komuna e Drenasit, ka fajësuar Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor duke thënë se me këtë çështje duhet të merren ata.
“Lidhur me projektin e urës në fshatin Shtrubullovë, e cila është mbi shtratin e lumit “Drenica”, Komuna e Drenasit, nuk ka vepruar në rregullimin e asaj ure, duke e ndërlidhur me këtë proces me projektin që e zhvillon Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor për rregullimin e shtratit të lumit dhe ndërtimin e urës”, ka thënë zëdhënësi i Komunës së Drenasit, Bekim Dobra për KosovaNews.
Ai tutje shton se kanë parashtruar disa herë kërkesë në këtë ministri dhe kanë kërkuar arsye se përse nuk është rregulluar ende ky segment i lumit që kalon në këtë fshat, mirëpo sipas tij, nuk kanë marrë përgjigje.

“Komuna e Drenasit ka adresuar në këtë ministri disa herë kërkesa dhe ka kërkuar sqarime se përse ky segment i lumit që kalon në fshatin Shtrubullovë nuk është rregulluar, duke marr parasysh se dy segmentet, njëra pas tjetrës, janë të rregulluara si projekte të ministrisë e cila edhe menaxhon me lumenjtë, ndërsa segmenti ku përfshihet edhe ura, është më së arsyeshëm për t’u intervenuar, mirëpo nuk kemi marr asnjë herë përgjigje. Nëse Ministria nuk merr masa për rregullimit të këtij segmenti të lumit ku përfshihet edhe ura, komuna do të ndajë nga buxheti i Komunës për rregullimin e urës.”, ka thënë Dobra.

Kujtojmë se ky segment i lumit ku përfshihet edhe ura, është problem i kahmotshëm dhe se në çdo dimër lumi del nga shtrati, duke mbuluar urën dhe pamundësuar mandej qarkullimin e banorëve andej./BeslindaRexhepi