Në shqyrtimin e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pala e dëmtuar Selvete Muja deklaroi se njëri nga të akuzuarit Amir Bardhi, ka qenë në të njëjtën klasë me vajzën e saj Albuleta Muja dhe Driton Mujën në shkollën fillore.
“Xhaferin unë nuk e kam njoftë kurrë, për herë të parë këtu në gjyq e kam pa, ndërsa me Amirin, çika ime Albuleta dhe Dritoni janë kon bashkë me një klasë, në shkollë fillore po edhe kur janë shku në shkollë të mesme janë taku. Amiri, u kon punëtor te kunati i madh Sokoli, mirëpo ka pas raste kur e merrte edhe B.M. Me ni sofër, me rob tonë ka hongër e ka pi. Kurrë diçka të keqe prej tyre nuk kemi pas”, deklaroi e dëmtuar Muja.
Gjithashtu, e dëmtuara shtoi se tani i ndjeri B.M ishte njeri i mirë dhe human, si dhe nuk ka pasur mosmarrëveshje apo ngatërresa me ndonjë njeri tjetër, raporton “Betimi për Drejtësi“.
E pyetur nga prokurori Bashkim Zeqaj se me kë ka shkuar i ndjeri B.M në mal, e njëjta u deklarua se i ndjeri ishte nisur nga shtëpia me djalin e saj, të ndjerin si dhe me Driton Mujën, ku rrugës e kishin marrë tek xhamia edhe Valmir Mujën dhe vëllanë tjetër të Dritonit, Vladrin Mujën.
“Ne e kemi ditë se është në mal pas me thanë 30/40 minuta, na e kena kuptu se i ka nxanë rami me dru, të djalin A.M dhe B.M. S’kena menu se do të ndodhë kjo pasi që s’jena kanë keq me kërkon. Pasi që ka ndodhë ngjarja. në mal me kunatin e madh, çikën, çikën e Sokolit dhe me djalin e kunatit të vogël, ne të pestë jemi shku në vendin e ngjarjes”, shtoi ajo.
Po ashtu, e njëjta theksoi që gjatë rrugës për në vendin e ngjarjes ishin takuar me familjarët e të akuzuarit Xhafer, të cilët i kishin kërkuar ndihmë për arsye se fillimisht ata kanë menduar se B.M dhe A.M i kishin zënë drunjtë.
Tutje e dëmtuara deklaroi se bashkëshorti i saj kishte qenë pjesëtar i UÇK-së, dhe po ashtu ishte i plagosur me plumb, ku për këtë arsye kishte statusin invalid.
Në pyetjen e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Ndrec Dodaj, se a kanë pasur ndonjë problem lidhur me këtë mal, e dëmtuara Muja tha se asnjëherë nuk kanë pasur asnjë problem dhe që mali është i shtetit dhe jo i familjes Bardhi.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Xhafer Bardhi, avokati Haxhi Millaku pyeti të dëmtuarën se a kishte ndonjë ide apo mendim se përse ndodhi kjo ngjarje ku dy të afërmit e saj humbën jetën, ndërsa ajo tha se më së miri e di Xhafer Bardhi.
“Në seancë theksuat se duke shkuar rrugës i keni parë me veturë vëllezërit e Xhaferit, dhe kunati i juaj Sokoli, ka kërkuar ndihmë pasi që ne e kemi ditur se i kanë nxanë drutë. Gjatë komunikimit, pyetja ime është kur kanë komunikuar, cila ka qenë përgjigjja e vëllezërve të Xhaferit”, pyeti anëtarja e trupit gjykues, gjykatësja Medie Bytyqi.
Në këtë rast, pala e dëmtuar deklaroi se gjatë komunikimit të tyre kishte qenë brenda në veturë dhe nuk ka dëgjuar asgjë.
Ndërkaq mbrojtësi i të akuzuarit Amir Bardhi, avokati Agron Hoti shtoi se nuk ka pyetje dhe i shpreh ngushëllime familjes M, kurse dy të akuzuarit i shprehën ngushëllime familjes për rastin.
Në këtë seancë ka munguar dëshmitari Fisnik Bardhi, për të cilin gjykata njoftoi do të dërgojë prapë ftesë.
Seanca u ndërpre për shkak të mungesës së rrymës elektrike dhe e radhës u caktua më 28 tetor 2022