Ekspertët theksojnë se emetimet e dioksidit të squfurit janë në rritje.
Vullkani Cumbre Vieja në ishullin spanjoll La Palma vazhdon të nxjerrë llavë dhe hi pas shtatë javësh nga shpërthimi i parë.
Institucioni gjeologjik dhe i minierave në Spanjë ka publikuar videon e bërë nga një dron që tregon fuqinë e jashtëzakonshme shkatërruese të vullkanit. Shumë zona të afërta që nuk ishin në rrugët e llavës ishin të mbuluara me hi të zi.
Ekspertët thonë se emetimet e dioksidit të squfurit janë në rritje, mesatarisht 40.800 tonë në ditë, në bazë të të cilave arrijnë në përfundimin se fundi i shpërthimit është shumë larg.
Deri më tani, llava ka mbuluar 987.9 hektarë të ishullit dhe më shumë se 2.000 ndërtesa janë shkatërruar.
Qeveria rajonale e Ishujve Kanarie vlerëson se vullkani ka shkaktuar tashmë 100 milionë euro humbje për industrinë e bananeve në ishull që është një nga sektorët më të rëndësishëm ekonomikë në La Palma. Ekonomia e La Palmës varet kryesisht nga turizmi dhe plantacionet e bananeve. Industria e turizmit po shënon humbje të mëdha ndërsa Aeroporti La Palma është i vetmi në Spanjë që pritet të ketë rënie të fluturimeve këtë dimër.
Ishulli La Palma është pjesë e Ishujve Kanarie spanjolle, një arkipelag në Oqeanin Atlantik. Vullkani Cumbre Vieja është aktiv që nga 19 shtatori dhe për shkak të shpërthimit, rreth 7.500 njerëz nga 85.000 banorë të ishullit u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre.