Xhiro e 17-të e BKT Superligës do të mbyllet sot me tri ndeshje në program.
Vëmendja kryesore është padyshim tek dueli mes Prishtinës dhe Dritës i cili zhvillohet në “Fadil Vokrri” nga ora 13:30.
Të dy skuadrat vijnë pas fitoreve të arritura ndaj Ulpianës, respektivisht Dukagjinit.
Kryeqytetasit pozicionohen në pozitën e pestë me 24 pikë të mbledhura, teksa Drita ndodhet në pozitën e tretë me 28 pikë të mbledhura.
Dy duelet e tjera që do të zhvillohen nga ora 13:00 janë ai mes Ulpianës dhe Feronikelit, dhe Dukagjinit dhe Llapit.
Llapi gjendet në një formë fantastike pasi ka katër fitore dhe një barazim në pesë ndeshjet e fundit në kampionat, duke u ngritur në pozitën e katërt me 25 pikë, ndërkohë Dukagjini pozicionohet si e parafundit në tabelë me 16 pikë dhe është pa fitore në tri duelet e fundit në kampionat.
Ndërkohë Ulpiana e pret në shtëpi Feronikelin.
Lipjanasit poziconohen në pozitën e tetë në tabelë me 17 pikë të mbledhura, gjersa Feronikeli gjendet në një formë të mjerueshme pasi renditet e fundit në tabelë me vetëm 10 pikë të mbledhura dhe ka humbur secilën nga tetë ndeshjet e fundit në kampionat, me fitoren e fundit të arritur ndaj Ulpianës më 3 tetor.