Një grup arkitektësh po planifikojnë të realizojnë një lagje, ku për vetëm 10 minuta larg nga shtëpia, mund të mbërrish kudo. Zyrat e punës, qendrat tregtare, shkollat, si dhe vendet e argëtimit janë të arritshme në kaq pak minuta. “Qyteti 10-minutësh” pritet të realizohet në kryeqytetin e Koresë së Jugut, Seul.
I quajtur “Projekti H1”, kjo ide pritet të transformojë një zonë të vjetër industriale në një “qytet” që përmban çdo gjë. E veçanta është se lagjja do të jetë plotësisht pa makina. Në një deklaratë për shtyp, projektuesit holandezë pretendojnë se kudo në “qytet” mund të shkohet në këmbë brenda 10 minutave. Lagjja, e cila do të ketë sheshe publike, kopshte dhe parqe të shumta, gjithashtu do të përdorë energjinë e rinovueshme, si dhe sisteme për grumbullimin dhe ruajtjen e ujit të shiut.
Megjithatë, disa kritikë janë shprehur skeptikë mbi projektin, pasi sipas tyre çmimet e kripura për të blerë një shtëpi në një lagje të tillë, do të përjashtojnë komunitetet me të ardhura të ulëta. Ndërsa të tjerë, mendojnë se në kohë të tilla pandemike, një plan i tillë do të ishte perfekt për të shmangur përdorimin e transportit publik, si dhe grumbullimet masive.







