Evetar Zeqiri është zgjedhur Kryeshef i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike (KOSTT).
Zeqiri ka marrë besimin e bordit për të drejtuar këtë institucion të rëndësishëm të vendit.
Siç raporton sot portali Indeksonline, Zeqiri ka marrë të gjashtë votat e anëtarëve të bordit në mbledhjen që është mbajtur pasditen e djeshme.
Kryeshefi i ri do të ketë mandat të ri 4 vjeçar në KOSTT.
Zeqiri ka kualifikim “bachelor” në Menaxhment Informatik në Universitetin e Prishtinës, si dhe një diplomë “master” në Administratë Biznesi në Universitetin e Sheffieldit.
Paparaci raportoi javën e kaluar për “kurdisjen” e konkursit për Kryeshef Ekzekutiv të KOSTT-it.
Sipas raportimit të Paparacit të premten e javës së kaluar, Evetar Zeqiri pritej të përzgjidhej Kryeshef Ekzekutiv i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike pas një procedure të dyshimtë konkurruese.
Kriteret e ulëta të vendosura në procesin rekrutues për Kryeshefin Ekzekutiv të KOSTT-it, një pozite të rëndësishme në sektorin energjetik të vendit, kanë ngritur dyshime për parregullsi dhe favorizime në proces.
Burimet brenda KOSTT-it i kanë thënë Paparacit se kriteri i vlerësimit vetëm me gojë të kandidatëve krijon hapësirë për përzgjedhjen e kandidatit të paracaktuar, i cili dyshohet të jetë Evetar Zeqiri.
“Kjo si mundësi qe te influencohet me lehtë zgjedhja e kandidatit të preferuar pasi poentimi nga bordi mund të behet sipas bindjeve dhe kandidatët që nuk fitojnë nuk do të kenë asnjë bazë për ankesë”, ka thënë ky burim për Paparacin.
Kriteret që ndërlidhet me kualifikimin e kandidatëve, si dhe përvojën e punës mbi pesë vjeçare në pozita udhëheqëse në sektorin energjetik, nuk janë vlerësuar primare në konkurs. Të dy këto kritere vlerësohen vetëm si “përparësi” për kandidatët për kryeshef.
Konkursi për Kryeshef Ekzekutiv të KOSTT-it është hapur më 10 gusht dhe afati për aplikime është mbyllur më 9 shtator.